G. Z. dhe H. G. , të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, janë liruar nga masa e paraburgimit.
K.R. 39-vjeçar vdiq si pasojë e plagëve që mori nga arma e zjarrit.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” lirimin nga paraburgimi të dy të dyshuarve.
“Me kërkesë të Prokurorisë, janë liruar nga masa e paraburgimit dy të dyshuarit, pasi kanë pushuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, konfirmoi Gashi.
Kurse, mbrojtësja e G.Z., avokatja Teuta Beka-Bunjaku, e kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” tha se pasi Apeli ua kishte refuzuar ankesën, kishte dorëzuar parashtresë në Prokurori për ta marrë në pyetje të mbrojturin e saj, me arsyetimin se provat tregojnë se nuk është i përfshirë në rast.
“Po, është i vërtetë lajmi se e kanë liru klientin, ne kemi bë ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë për masën e paraburgimit, Apeli nuk e ka aprovu, mirëpo pas marrje në pyetje në Prokurori, unë e kam dorëzu një parashtresë në Prokurori për shkak se s’ka prova, sepse janë videoincizimet publike të rastit, vendit të ngjarjes, faktikisht që nuk është i përfshirë në asnjë rast klienti im, as në pjesëmarrje në rrahje, as në ndonjë veprim inkriminues”, tha Beka-Bunjaku.
Avokatja Beka-Bunjaku tha se pasi është marrë në pyetje nga Prokuroria, i mbrojturi i saj G.Z. është liruar sot.
“Dhe e kam ba një kërkesë sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, që kanë të drejtë me i rishiku shkresat e lëndës, mandej edhe për shkak që edhe pak e kam prek në pika të shkurta se s’ka të bëjë asgjë me rastin. Mandej, Prokuroria më ka njoftu për marrje në pyetje, marrja në pyetje ka qenë para. Sot është e martë, të premten më duket është bërë marrja në pyetje në Prokurori, mandej sot veç e kanë liru, ama ende s’kam marrë ndonjë vendim prej gjykatës, kjo ndodhi pasdite dikur”, tha ajo.
Ndryshe, më 17 gusht 2023, Gjykata e Apelit ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve A.P. , H. G. dhe G. Z., të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R., duke vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin tre të dyshuarve iu kishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, D. N., gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve./Betimi për Drejtësi