Sulmi në Ibër-Lepenc

Kurti i konsideron akte terroriste nga Serbia shpërthimet në veri

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur akte terroriste nga Serbia, shpërthimet që kanë ndodhur ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës.

Duke komentuar shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, Kurti ka thënë se ky sulm është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës. Ky kanal dërgon ujë për ftohje të termocentraleve Kosova A e Kosova B.

“Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ka thënë Kurti. “Sulmi është kryer nga profesionistë. Është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e orkestruara dhe dirigjuara nga Serbia, e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë, edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur sasi të madhe të eksplozivit në nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, ka thënë Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Kurti ka thënë se s’ka adrësë tjetër për sulme të tilla “pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, me në krye Milan Radoiçiqin”.

“Ky është sulmi pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimin e ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka njoftuar se menjëherë pas konferencës do të takohet me komandantin e KFOR-it dhe ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin... Por unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës së Veriut, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, arsyeja pse Kosova po përballet me këto sulme është “suksesi i Kosovës”.  “Suksesi i Kosovës është duke i çmendur ata”, ka thënë Kurti.

Kryeministri po ashtu ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk kanë informacione për sulm të ri të mundshëm, por ka shtuar se shteti duhet të jetë i përgatitur për gjithçka.

“Duhet të përgatitemi për gjithçka, meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitete dhe dijen që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë. Por punën kryesore e bëjmë ne, policia, inxhinierët e KEK-ut, ekspertët në Ibër-Lepenc, Qeveria, qytetarët. Ne jemi bartës të sanimit të kësaj gjendjeje sepse ata po sulmojnë në mënyrë tinëzare e qyqare. Dikur i kanë kontrolluar këto asete, i kanë pasur komunat, kanalin, Policinë, liqenin e Ujmanit. Sulmet e tyre vijnë sepse e kanë humbur kontrollin. Po t’i kishin sikur dikur, do ta shantazhonin komplet shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
shpërthimi në Ibër-Lepenc

Shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të premten në mbrëmje në fshatin Varagë të Zubin Potokut....