Kronikë

Kunati akuzohet se shpërfilli urdhrin gjyqësor për të mos iu afruar viktimës

Në pesë vjetët e fundit, Elvedina Hajdari disa herë ka raportuar dhunën në familje, ndërkaq pas një vendimi gjyqësor, ish-bashkëshortit, babait e vëllait të tij iu ndalua t’i afrohen asaj në distancë më të afërt se 10 metra. Sipas Prokurorisë, ish-kunati e shkeli këtë urdhër, kur, duke vozitur vrullshëm, iu afrua me veturë. Në një seancë të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Drenas, Elvedina Hajdari dhe Prokuroria kërkuan që ai të dënohet.

Krahas me ish-bashkëshortin, Elvedina Hajdari, është përballur edhe me vëllanë e tij në një seancë që u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Drenas.

Në pesë vjetët e fundit, ajo disa herë ka raportuar dhunën në familje, ndërkaq pas një vendimi gjyqësor, ish-bashkëshortit, babait e vëllait të tij iu ndalua t’i afrohen viktimës në distancë më të afërt se 10 metra në vendbanimin e saj.

Sipas Prokurorisë, më 24 maj të vitit të shkuar, ish-kunati i afrohet me veturë viktimës afro gjysmë metri, duke vozitur vrullshëm e duke i frikësuar dy vajzat e mitura me të cilat ajo ishte duke ecur në këmbë.

Në seancën që mediat nuk u lejuan ta xhironin, palët paraqitën fjalët përfundimtare, e ku Hajdari dhe Prokuroria kërkuan që ai të dënohet.

“Qysh e ceka edhe në praninë e gjyqtarit edhe në praninë tuaj, unë kërkoj një dënim maksimal meritor ndaj të pandehurit, ku tregova që edhe më ka cenuar jetën”, ka thënë Hajdari.

E avokati i saj, Gazmend Halilaj, ka thënë se është kërkuar ashpërsim i dënimit sepse sipas tij, deri më tani, asnjëherë nuk është arritur që të mbrohet pala e dëmtuar.

“Fillimisht kemi kërkuar të shpallet fajtor, të provohet fajësia, të cilat me provat që kemi argumentuar Prokurorisë dhe Gjykatës, konsiderojmë që përtej dyshimit të bazuar është provuar fajësia dhe kemi kërkuar natyrisht ashpërsim të dënimit, për shkak se me dënimet e derimëtanishme asnjëherë nuk është arritur që të mbrohet nga veprimet inkriminuese të palës apo palëve të përfshira në këtë rast”, ka thënë Halilaj.

Asdren Hoxha, mbrojtës i të pandehurit, u shpreh se për këtë rast nuk ka prova të mjaftueshme kundër klientit të tij, teksa akuzoi mediat se janë duke bërë presion.

“Nëse një çështje nuk ka bazë në prova dhe vetë paraqitja e kaq numrit të madh tuajin këtu, flet për atë se mundohet të shtyhet në forma të tjera, të presionit deri te një aktgjykim që nuk do të përbënte në asnjë mënyrë drejtësi”, ka thënë Hoxha.

Hoxhës iu kundërpërgjigjën përfaqësueset e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, që monitoruan seancën.

“Krejt ajo që u tha prej avokatit dhe prej të pandehurit përmes tij, janë vetëm fjalë të kota dhe një lloj tentative për me na zmbrapsë neve, dhe për me tërhjek vëmendjen tek problemi kryesor. Ne e kemi thënë edhe në kumtesa të më hershme se rasti i Elvedinës është një prej rasteve të shumta, të cilat e paraqesin dhunën strukturore me të cilën ballafaqohen gratë”, ka thënë Liridona Sijarina nga ky kolektiv.

Elvedina Hajdari jeton në një oborr me ish-bashkëshortin dhe familjen e tij. Pasi përjetoi dhunë, ajo vendosi të kthehej aty, disa kohë pas qëndrimit në strehimore.