Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka njoftuar se është kërcënuar nga një preson përmes rrjeteve sociale.
Zeqiri në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nga ky person është kërcënuar për herë të katërt.
“Kërcënohem përmes rrjeteve sociale nga i njëjti kriminel për herë të katërt. Ky qyqar (Kukavic) i MUP-it të Serbisë më kërcënon me vrasje dhe m’i ofendon heronjtë dhe figurat historike të popullit shqiptar. Ky frikacak i ndyrë nuk ka guxim të përballet me mua por më kërcënon përmes rrjeteve sociale”, ka shkruar Zeqiri në rrjetin social Facebook.
Për kërcënimet nga ky person Zeqiri kishte shkurar edhe më herët.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se rasti është paraqitur në Polici dhe se me të po merret departamenti i krimeve të rënda. Ai tha se pritet që deklarata e Zeqirit t’iu bashkohet rasteve tjera paraprake.