Policia e Kosovës ka njoftuar se është në pritje të ekstradimit të një serbi që dyshohet për krime lufte, i cili u arrestua në Mal të Zi më 22 shtator.
Sipas Policisë, për të dyshuarin M.K. ishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar.
“Më datë 22.09.2023, pas koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në Podgoricë personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet M.K., qytetar i RKS i nacionalitetit serb, i kërkuar nga autoritetet tona për veprën penale “Krime Lufte”. Personi i arrestuar është në proces të ekstradimit nga Mali i zi në Kosovë sipas procedurave ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar edhe për disa ekstradime, transfere dhe depërtime që ka kryer gjatë javëve të fundit në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtare me shtetet e tjera.
Më datë 13.09.2023, është ekstraduar nga Shqipëria, personi me inicialet A.K., qytetar i RKS, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale “Mashtrim”.
Më datë 15.09.2023, është ekstraduar nga Gjermania, personi me inicialet L.T., qytetar i RKS, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale “Vrasje”.
Më datë 18.09.2023, është realizuar një depërtim të një shtetasi Spanjoll, i cili ka qëndruar në RKS pa asnjë dokument. Ky depërtim është realizuar me ndërmjetësimin e Shqipërisë.
Më datë 19.09.2023, është kryer transferi i personit të dënuar nga Italia në Kosovë. Personi i transferuar me inicialet H.I., qytetar i RKS, i dënuar me 22 vite burgim nga Italia për veprën ‘Trafikim me narkotik’, tani do të kalojë pjesën e mbetur të vuajtjes së dënimit në burgjet e Kosovës.
Më datë 26.09.2023, është ekstraduar nga Mali i zi personi me inicialet SH.P., qytetar i RKS , i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale “Vjedhje e Rendë”.
Më datë 28. 09.2023, është ekstraduar nga Gjermania personi me inicialet A.B., qytetar i RKS, i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga autoritetet tona për veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare”.
“Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka vazhduar në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve tjera dhe me organizatat ndërkombëtare policore dhe të sigurisë, me qëllim arrestimin e personave të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, ekstradimin apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë, një bashkëpunim dhe koordinim i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, vijon njoftimi i Policisë.