Kronikë

Konfiskohen armë, municione, eksplozivë e uniforma ushtarake në veri

Konfiskohen armë, municione, eksplozivë e uniforma ushtarake në veri

Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni të premten ka konfiskuar armë, municion, eksplozivë e uniforma ushtarake në një fshat të Leposaviqit.

Për këtë çështje, Policia ka njoftuar se do të ketë konferencë për media në orën 18:00 ku do të jepen detaje të tjera.

Në konferencë do të jetë i pranishëm ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe zëvendësdrejtori i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

Sveçla për konfiskimet në veri: “Mbrojtja Civile” vazhdon të jetë aktive

1 muaj më parë / 28 shk 2025 18:30
Sveçla

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se konfiskimet në operacionin e së premtes në fshatin Rodel të Leposaviqit dëshmojnë se strukturat paralele të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Kosovës.

Në konferencë për media, Sveçla ka thënë se gjatë aksionit të sotëm Policia ka konfiskuar uniforma e pajisje ushtarake, armë, municione, por edhe dokumentacione që dëshmojnë se “Mbrojtja Civile” vazhdon të jetë aktive në Kosovë. Për këtë, ai ka fajësuar kryeterroristin Milan Radoiçiq.

“Serbia vazhdon të strehojë kryeterroristin Milan Radoiçiq, që është kupola e gjithë këtij organizimi i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste t’i mbajë të gjallë qoftë në territorin e Kosovës apo të Serbisë”, ka thënë ai.

Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e organizimeve të Radoiçiqit t’i dorëzojnë pajisjet e armët, “në mënyrë që t’i kthehen jetës normale dhe të bëhen pjesë integrale e shoqërisë”.

“Mbesim të vendosur dhe të përkushtuar që siguria të mbretërojë në çdo cep të Republikës. Tash do të vazhdojnë hetimet për të zbuluar të gjithë grupin që janë të përfshirë në këtë aktivitet”, ka shtuar Sveçla.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se për rastin një person është shoqëruar dhe po intervistohet.

Hoxha ka bërë të ditur se në operacion u konfiskuan pushkë, kodak pushke, 19 fishekë pistolete, çantë me 45 fishekë për armë të gjata, një palë dylbi për snajper, 11 fishekë për armë gjuetie, katër karikatorë të zbrazur, pajisje për pastrimin e armës, dy gazmaska, pajisje ushtarake, çantë për ndihmë të parë, çantë me dokumente, substanca të dyshuara eksplozivi e telefona.