Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për 12 zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një pronari të biznesit, të cilët u arrestuan të martën në Prizren e Podujevë.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave të ndaluar, në gjykatën kompetente”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj.
Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’ dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria për arrestimin e tyre.
Më tej thuhej se të dyshuarit B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.