Kronikë

Paraburgim të dyshuarve për rrëmbimin e dy shtetasve të Maqedonisë

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit për rrëmbim ua kishin marrë viktimave portofolat, njërit të dëmtuar 100 euro, 100 franga dhe 4 mijë denarë të Maqedonisë, ndërsa të dëmtuarit tjetër 40 euro

Prishtinë, 18 shkurt - Nën kërcënim të armëve dhe të lidhur me pranga të plastikës, dy shtetasit nga Maqedonia e Veriut, Z.R. dhe A.A., ishin rrëmbyer natën e 16 shkurtit dhe ishin mbajtur deri në mesditën e 17 shkurtit nga pesë persona. Rrëmbyesit, në mesin e tyre edhe dy policë, u arrestuan të mërkurën, ndërsa ndaj tyre u shqiptua masa e paraburgimit.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, të siguruar nga KOHA, thuhet se të dyshuarit V.K. e B.N., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe tre të pandehurit e tjerë V.K. ,F.S. dhe e dyshuara M.I., mes datave 16 dhe 17 shkurt, në vilat e restorantit “Gërsheta” në fshatin Makresh të Komunës së Novobërdës, me dashje direkte, me qëllim të përfitimit të pasurisë, i kanë mbajtur të dëmtuarit nën kërcënim të armëve.

Të dyshuarit i kishin zhveshur shtetasit nga Maqedonia nën kërcënimin e armëve dhe të lidhur me pranga u kishin dërguar video familjarëve të të dëmtuarve, derisa e dyshuara me inicialet M.I., rreth të 30-ave, kishte joshur njërin nga të rrëmbyerit me qëllim të përfitimit material.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit ua kishin marrë viktimave portofolat, njërit të dëmtuar 100 euro, 100 franga dhe 4 mijë denarë të Maqedonisë, ndërsa të dëmtuarit tjetër 40 euro.

Në kërkesën për paraburgim, më tutje, thuhet se të dëmtuarit kanë përjetuar shqetësim dhe ankth pasi gjatë kësaj periudhe kohore ishin goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë.

Për shkak të dyshimeve se të pandehurit mund të ndryshojnë, asgjësojnë, fshehin dhe falsifikojnë provat e veprës penale dhe do të mund të pengonin rrjedhjen e procedurës penale, prokurori Agron Uka ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 5 të arrestuarit në këtë rast.

Katër nga pesë të arrestuarit, sipas Prokurorisë së Gjilanit, kanë të kaluar kriminale, përfshirë këtu pjesëtarin e Policisë së Kosovës me inicialet V.K.