Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve E.S.,-nga Lipjani dhe V.H. nga Ferizaj, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “trafikimi me njerëz”.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji gusht i vitit 2024 e deri me datën 15.03.2025, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, të pandehurit në bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në vazhdimësi, marrin pjesë në trafikimin e njerëzve, në atë mënyrë që e pandehura V.H., në koordinim të plotë edhe me të pandehurin E.S., përmes kanosjes apo përdorimit të forcës, duke bashkëpunuar me pronarin faktik të vilave, sipas kërkesave të klientëve të tyre iu ofronin femra për shërbime seksuale, saktësisht duke u siguruar të njëjtave klientë të ndryshëm me të cilët bën marrëveshje që të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave, e të cilat para të pandehurit i përvetësojnë për vete”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit që nga data 15 mars 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.
Policia të dielën kishte njoftuar se ata kishin kryer veprën penale të lartcekur ndaj katër viktimave.
“Me 15.03.2025 janë arrestuar dy të dyshuar një mashkull dhe një femër nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të lartcekur ndaj katër viktimave femra kosovare duke kryer veprimtari të kundërligjshme dhe transportim e tyre me qëllim shfrytëzimi dhe përfitimi për veten e tyre”, thuhej në njoftim.