Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, është kërcënuar.
Sipas njoftimit, kërcënimet kanë ndodhur pas prononcimeve të Nikçit për rastin e rrahjes në një diskotekë në Pejë, ku dyshohet se është përfshirë edhe reperi Noizy.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), dënon kërcënimin që i është bërë Zyrtarit të Lartë për Komunikim me Publikun në Prokurorinë Themelore të Pejës, z.Shkodran Nikçit, të cilat vijnë si rrjedhojë prononcimeve të punës së tij zyrtare lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e rrahjes në një diskotekë në Pejë, ku ishin të përfshirë shtetas të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
Tutje thuhet se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore dhe të trajtohet me seriozitet të lartë kjo çështje, në mënyrë që kërcënuesi të përgjigjet sa më parë para drejtësisë.