Katër persona kanë pësuar lëndime në një aksident trafiku në fshatin Prelez të Muhaxherëve të Ferizajt të dielën. Policia e Kosovës njoftoi se në aksidentin që ndodhi në orën 21:00 janë përfshirë tri vetura dhe një autobus.
Të lënduarit janë dërguar në Qendrën Emergjente të Ferizaj ku kanë pranuar trajtim mjekësor, e më pas janë liruar.
“Më datën 26.01.2025, rreth orës 21:00, kemi pranuar një informatë për një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin policor për KOHËN.
Policia e Kosovës po kryen veprimet e duhura për t’i evidentuar rrethanat e aksidentit.
“Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës. Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit. Më pas janë liruar të lënduarit”, thuhet në njoftim.