Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar në polici katër raste të dhunës në familje. Dy raste janë raportuar në Prishtinë, një në Pejë e një në Mitrovicë të Veriut.
Në Prishtinë, të shtunën mbrëma një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.,
“Viktima me dëshirën e saj prapë është kthyer në shtëpi të jetojë me bashkëshortin i cili pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.
E në një rast tjetër në Prishtinë një grua ka raportuar se është sulmuar nga bashkëshorti. Bashkëshorti është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Prishtinë / 31.08.2024 – 23:56. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Në Pejë është arrestuar të shtunën një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
E në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një person nën dyshimin se e ka sulmuar vajzën e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe pastaj i është lëshuar edhe urdhri mbrojtës me kërkesën e saj. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.