Policia e Kosovës është njoftuar brenda 24 orëve të fundit për katër raste të dhunës në familje.
Sipas njoftimit, në Podujevë është arrestuar një burrë nën dyshimin se në prezencë të punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale, ka sulmuar fizikisht viktimën bashkëshorten e tij kosovare.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në Prishtinë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht dhe e kanosur me thikë viktimën kosovare me të cilën i dyshuari është në lidhje për një kohë.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në Gjilan, është arrestuar po ashtu një burrë nën dyshimin se për shkak të një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzës së tyre.
Sipas njoftimit, viktimat (nënë e bijë) kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq një sulm fizik ka ndodhur ndaj një gruaje në Zhitkovc të Zveçanit. Sipas policisë, viktima është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me thikë nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk jeton më.
“I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.