Kronikë

Iraniani i arrestuar 18 muaj më parë akuzohet për terrorizëm dhe spiunazh

Një shtetas iranian i akuzuar për kryerje spiunazhi në Shqipëri është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK). Iraniani Bijan Pooladrag, i arrestuar më 9 tetor të vitit 2020 në Tiranë, akuzohet se ka kryer shërbime për personat e shpallur si “organizata terroriste”, si dhe ka kryer përgjime të paligjshme. SPAK-u njoftoi të premten se ka mbyllur hetimet dhe e ka dërguar çështjen për gjykim. Sipas hetimeve, i akuzuari ka mbërritur në Shqipëri me qëllim për të mbledhur informacion në lidhje me muxhahedinët e strehuar në Shqipëri, të cilët prej vitesh janë vendosur në zonën e Manzës në Durrës.

“Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal është dërguar për gjykim i pandehuri Bijan Pooladrag (shtetas nga Irani), pasi akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale: Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur; Organizata terroriste; Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike; Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike; Ndërhyrja në sistemet kompjuterike; dhe Keqpërdorimi i pajisjeve”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Pooladrag u arrestua në tetor 2020 nën dyshimin se ishte një agjent iranian me mision për të vrojtuar grupin e MEK-ut, një organizatë opozitare iraniane në ekzil, e cila ka selinë aktualisht në Shqipëri pas evakuimit nga Iraku me ndërmjetësimin e amerikanëve. Materiali hetimor i administruar nga Njësia e hetimit të krimeve kibernetike në Policinë e shtetit në Shqipëri kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se shtetasi iranian, nëpërmjet veprimeve të ndryshme, kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhimi në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celularë të shtetasve të tjerë.

Organizata e Popullit Muhaxhidin e Iranit është themeluar në vitet ’70 si opozitë e majtë ndaj regjimit të mullahëve. Organizata u zhvendos në Irak gjatë luftës Irak – Iran dhe u klasifikua si organizatë terroriste. Ajo u çarmatos pas pushtimit amerikan të Irakut, ndërsa një pjesë e anëtarëve u zhvendosën në Shqipëri me ndërmjetësimin e amerikanëve. Policia e Shtetit njoftoi në vitin 2019 se kishte dyshime se persona të agjenturës iraniane kishin përgatitur ndërmarrjen e sulmeve terroriste në territorin e Shqipërisë. Kryerja e shërbimeve dhe e veprimeve me persona të shpallur është një vepër penale që dënohet me 4 deri në 10 vjet burgim, ndërsa përgjimi i paligjshëm dënohet me 7 deri në 15 vjet burgim.