Kronikë

I zhdukuri nga Vitia gjendet i vdekur

Shiriti i policise

Është gjetur trupi i pajetë i qytetarit vitias, Heset Rrahmanit, i cili ditë më parë ishte raportuar si i zhdukur.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ai është gjetur në një humnerë në Han të Elezit, ku edhe kishte rënë me veturën e tij.

Sipas vëllaut të Hesetit, Rrahman Rrahmani, personi në fjalë ka edhe nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut.

“Me datë 14 .01 2021 prej Kosovës ka shkuar në Shkup përmes Hanit të Elezit rreth orës 14:00. Ka qëndruar tek një kushëri”.

I njëjti është kthyer nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut të njëjtën ditë.

“Është kthyer në ora 17:46 min me të njëjtën datë në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, ka kaluar kufirin me dokment të Maqedonisë, personi ka dy shtetësi”, ka thënë ai.

Ndërkohë, që nga ajo ditë nuk dihet për fatin e tij.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka shprehur ngushëllimet familjes Rrahmani nga Debelldehu pas gjetjes së trupit të pajetë të qytetarit vitias, Heset Rrahmanit, i cili ishte raportuar si i zhdukur me 14 janar të këtij viti.

“E nderuara familja Rrahmani, me dhimbje të thellë morëm lajmin se anëtari i familjes suaj është gjetur i pajetë. Në këtë rast të pikëllimit, ju lutëm që në emrin tim personal dhe të komunës së Vitisë, të pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, u shpreh kryetari Haliti.