Kronikë

I pandehuri nuk e pranon fajësinë për botim të librave pa marrëveshje

Në shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të hënën, i akuzuari për veprën penale të cenimit të të drejtave të autorit, Berat Abdullahi, nuk e ka pranuar fajësinë. Gjykata e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të hënën është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin, ku i pandehuri Berat Abdullahi akuzohet për veprën penale të cenimit të të drejtave të autorit.

I akuzuari para trupit gjykues nuk e ka pranuar fajësinë. Paraprakisht ka kërkuar që t’i lexohet aktakuza.

“Ndërkaq i pandehuri, edhe përkundër shkëputjes së marrëveshjes vazhdon me botimin dhe shitjen në librari të ndryshme veprat e cekura të autorit Rexhep Hoxha, duke cenuar të drejtat e autorit, me të cilat veprime iu shkakton dëm material trashëgimtarëve ligjorë të së drejtës autoriale. Me këto veprime kryen veprën penale “Cenimi i të drejtave të autorit” nga neni 296, paragrafi 5, lidhur me nenin 81, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës", ka lexuar një pjesë të aktakuzës prokurorja Elfete Purova.

Pas kësaj i pandehuri Berat Abdullahi është deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën dhe nuk e ka pranuar fajësinë.

“Jo, i nderuar gjyqtar... Nuk e pranoj fajësinë”, ka deklaruar ai.

Prokurorja Elfete Purova ka theksuar se i akuzuari nga 18 prill 2013 në vazhdimësi, pa autorizim ka përdorur punën e mbrojtur me të drejtat e autorit të shkrimtarit tashmë të ndjerë Rexhep Hoxha, respektivisht botimin dhe shitjen e veprave “Verorja”, “Lulëzo vendi im”, “Lugjet e verdha”, “Picimuli” e “Pipireku”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri lidhi kontratë me shkrimtarin Hoxha më 22 shtator 2011 për botimin e veprave të tij. Pas vdekjes së tij trashëgimtari Shpend Hoxha lidhi kontratë të re me të pandehurin, më 9 mars 2013, porse një muaj më vonë e anuloi atë.

Prokuroria pretendon se i pandehuri, me gjithë shkëputjen e marrëveshjes vazhdoi me botimin dhe shitjen e librave duke cenuar kështu të drejtat e autorit.

E Shpend Hoxha, në cilësi të palës së dëmtuar, ka thënë se trashëgimtarët kanë pësuar lëndim shpirtëror, meqë në këtë rast, sipas tij, është bërë edhe shëmtimi i veprës së shkrimtarit Rexhep Hoxha.

duhet me dhënë përgjegjësi për të gjitha këto lëndime që na i kanë shkaktuar. Unë po besoj se të gjitha këto do të merren si dëshmi gjatë kësaj procedure”, ka deklaruar Hoxha.

Gjyqtari Refki Piraj ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se para shqyrtimit gjyqësor mund t’i paraqesin kundërshtimet lidhur me provat e cekura në aktakuzë dhe se kanë të drejtë që të paraqesin edhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.