Njëri prej të dyshuarve kryesor për vrasjen e policit në Kaçanik ka qenë i dënuar për veprën penale “dhunim”.
Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi për KOHËN se i dyshuari R.B., që ka qenë i mitur në kohën kur dyshohet se ka kryer vrasjen e policit Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik, është në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale për dy vjet, për veprën penale “dhunim”.
Ndaj tij ishte lëshuar urdhër arrest.
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se i dyshuari i mitur për rastin në fjalë të veprës penale 'Vrasje e rëndë' për të cilën gjykata ka lëshuar komunikatë për media dhe ju ka njoftuar se gjyqtari i çështjes ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ka në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy (2) vjet për veprën penale 'dhunim' nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së për të cilën ka të lëshuar urdhërrarrest”, thuhet në njoftimin e Themelores.
Gjykata Themelore ia ka caktuar të hënën një muaj paraburgim të miturit për vrasjen e policit Lika.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar kërkesën e prokurorit të shtetit për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
I mituri dyshohet se në bashkëkryerje me madhorët H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K. dhe D.G., me dashje e me përgatitje paraprake ka privuar nga jeta rreshterin policor Lika.