Kronikë

I dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares transferohet në Burgun e Sigurisë së Lartë, avokati i tij thotë se u sulmua

I akuzuari për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, Ekrem Rexhepi, është transferuar të mërkurën në Qendrën e Sigurisë së Lartë.

Nga Shërbimi korrektues thonë se kjo masë u mor për mbrojtje të tij, ndërkohë avokati i tij pretendon se ai është sulmuar në qendrën e paraburgimit.

Avokati Fitim Limani, ka thënë të mërkurën për KOHËN se informacionet që klienti i tij është sulmuar brenda SHKK-së, i ka marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pretendimet e Limanit i ka mohuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, por ka pranuar se Rexhepi është transferuar.

Zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi, ka thënë për KOHËN se Rexhepi është transferuar në mënyrë që të parandalohet ndonjë sulm i mundshëm ndaj tij.

“Nuk është sulmuar. Ai është dërguar në Burgun e Sigurisë se Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, ka thënë Gashi.

Për deklarimin e SHKK-së, avokati Limani ka thënë se nuk e di pse ata e mohojnë që sulmi ka ndodhur. Ai shtoi se personalisht nuk flet për çështje që nuk ka informacione të sakta.

“Në bazë te informatave që i kemi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ekrem Rexhepi është sulmuar nga të burgosurit e tjerë dhe është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë. Kjo është informatë nga gjykata, është e pamoralshme nga ana ime nëse unë si avokat të flasë diçka nëse nuk e kam informatën e saktë. Unë nuk e di pse thonë ata ashtu”, ka thënë Gashi.

E kontaktuar nga KOHA, Gjykata Themelore nuk ka dhënë ndonjë informacion në lidhje me këtë.

Ekrem Rexhepi është një nga pesë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares më 27 gusht në Prishtinë. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.