Kronikë

I dërgoi kërkesën një vajze, 20-vjeçari në Ferizaj kanoset me armë nga një 19-vjeçar

Arma e sekuestruar

Arma e sekuestruar

Një përplasje mes dy të rinjve në fshatin Dubravë të Ferizajt ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi situata ka eskaluar në kërcënime me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20, kur Policia e Kosovës ndërhyri pas një fjalosjeje mes personave me inicialet R.O. (19 vjeç) dhe Z.M. (20 vjeç). Sipas njoftimit zyrtar, shkaku i konfliktit ishte një kërkesë për shoqërim e dërguar nga Z.M. një vajze përmes rrjeteve sociale, e cila ka nxitur reagimin e të dyshuarit R.O.

R.O. e kishte thirrur Z.M. dhe e kishte kërcënuar me armë, duke e shtyrë Policinë të ndërhyjë në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrollit, te i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe një fishek që ndodhej në tytë.

Hetuesit dhe njësia e krimteknikës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova. Të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor të Ferizajt, ku janë zhvilluar hetime të mëtejme.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj R.O. është iniciuar procedurë penale për veprat “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.