Kronikë

I akuzuari deklarohet i pafajshëm për vrasjen në “Bon Vivant”

Andi Pajaziti

I akuzuari Andi Pajaziti është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Ai ka thënë se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje. Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, u deklarua fajtor.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Pajaziti e bëri në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Menduhi Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Eroll Gashi e miratoi pranimin e fajësisë së bërë nga i akuzuari për armëmbajtje pa leje.

Kurse, meqenëse për veprën e parë “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Gashi mori aktvendim se kanë të drejtë deri më 18 gusht të bëjnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Në anën tjetër, për armëmbajtje pa leje, u shpreh se shpallja do të bëhet pas përfundimit të çështjes penale.

Prokurori ka thënë se mbetet pranë propozimit që ndaj të akuzuarit të vazhdohet masa e paraburgimit pasi konsideron se ekzistojnë kushtet për të cilat është caktuar kjo masë dhe se duhet vazhduar masa me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale.

“Vdekjen e K., nuk e ka dashtë as Andi”, ka thënë avokati i të akuzuarit, duke kërkuar që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Sipas avokatit Krasniqi, plagët e të akuzuarit kanë qenë të rrezikshme për jetë dhe se ajo plagë do t’i mbetet tërë jetën. Sipas tij, nuk ka rrezik për ikjen e të akuzuarit.

Gjykatësi ka refuzuar propozimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. 

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 pati se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. 

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17  persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.