Kronikë

Hetohet vdekja e një gruaje në Spitalin e Pejës

Pejë, 19 janar – Prokuroria Themelore e Pejës ka konfirmuar të martën se ka nisur hetimet për një rast të vdekjes së një gruaje në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, që ka ndodhur të hënën rreth orës 11.00.

“Lidhur me këtë çështje, prokurorja pasi që ka pranuar informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurores së shtetit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe njëkohësisht tash, derisa të vjen raporti i Mjekësisë Ligjore, janë duke u ndërmarrë veprime për hetimin e kësaj vdekje”, tha për KOHËN zëdhënësi i kësaj prokuroria Shkodran Nikçi.

Për rastin KOHA ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Spitalit të Pejës, Naim Sahtin.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë me keqardhje konfirmon se dje ka ndodhur një rast i vdekjes. Lidhur me rastin e djeshëm të vdekjes mund të ju njoftojmë se Pacientja është operuar nga holocista, dhe trajtimi pas operativ ka shkuar mirë e pa komplikime. Me rastin e lirimit duke dalur nga Reparti situata i është përkeqësuar. Personeli Mjekësorë ka provuar ta ranimoj por me gjithë përpjekjet fatkeqësisht pa sukses dhe pacientja ka vdekur. Personeli Mjekësor ka njoftuar Policinë që së bashku me Prokurorinë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe tashmë janë këto Organe që përcaktojnë arsyet e vdekjes”, tha Sahiti për KOHËN.

Këtë rast policia a ka cilësuar si hetim i vdekjes.

“Më datën 18 janar, rreth orës 11:15 policia është informuar që në Spitalin Rajonal të Pejës është një person pa shenja jete. Njësitë relevante menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe aty kanë kuptuar se viktima pasi që i ishte nënshtruar operacionit ishte liruar nga spitali, mirëpo të njëjtës i është përkeqësuar gjendja në objektin e spitalit. Ajo ka ndërruar jetë. Këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha për KOHËN zëdhënësi i policisë në Pejë, Driton Rugova.