Prokuroria Themelore në Prizren pas një hetimi disa mujor kanë realizuar kontroll në regjionin e Prizrenit, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin Y.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se Y.M. ka përfituar jashtëligjshëm para nga i dëmtuari, pasi ky i fundit i kishte marrë borxh.
“I pandehuri Y.M., që nga muaji dhjetor 2024, e në vazhdimësi, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla me kamatë prej 10%. Pasi që viktima nuk arrin t’ia kthejë të pandehurit me kohë të hollat për muajin vijues, përveç kamatës, i pandehuri kërkon edhe shumën shtesë për çdo vonesë, derisa kamatat vazhdojnë të rriten në vazhdimësi, dhe bëhen të papërballueshme për viktimën”, thuhet në komunikatë.
I pandehuri është arrestuar në flagrancë, me të hollat e pranuara nga viktima.
Në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar pesë kavanoza qelqi dhe tri qese plastike me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1 Kg e 57 gram; Një peshore elektronike; dy grindera; dy telefona mobil; një pistoletë P22Ëalther, kalibër 9mm me një karikator të zbrazur; një pistoletë ROHM RG96, kalibër 9mm; një karikator me 9 fishekë; një armë automatike e llojit të panjohur; tetëdhjetë e një fishekë të kalibrit të panjohur; një (1) Automjet “Opel Astra”.