Kronikë

Haradinaj dënon therjen e të riut serb mbi Ibër, thotë se është rast i izoluar që s’e cenon paqen

Foto: Koha / ilustrim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar konfliktin nga i cili ka mbetur i therur me thikë një serb 18 vjeçar, mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë.

“Dënoj ashpër rastin e përleshjes dhe therjes së një të riu serb në urën e lumit Ibër. U bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Koha.net. “Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit. Veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend”, ka shkruar më tej Haradinaj.

D.B., 18 vjeç, nga Mitrovica, i nacionalitetit serb, është therë me thikë nga persona deri tash të panjohur dhe ndodhet në spitalin e veriut të qytetit, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 18:00 mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

Lajmin e ka konfirmuar për KP, zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke punuar në mënyrë intensive për ndriçimin e plotë të rastit dhe kapjen e autorit apo autorëve.

"Në bazë të deklaratave të dëshmitarëve të intervistuar në stacionin policor të veriut, pas një fjalosjeje verbale në mes të dy grupeve të rinjsh, dyshohet se sulmuesi pas sulmit ka ikur në anën jugore të qytetit", ka thënë Hoti.

Mbesin të paqarta motivet dhe arsyet që kanë çuar në përleshjen. Policia po punon në zbulimin e rastit.