Kronikë

Hajnat vjedhin para e stoli në vlerë prej 40 mijë euro në një shtëpi në Ferizaj

Disa persona të paidentifikuar kanë hyrë në një shtëpi e cila gjendet në magjistralen Ferizaj-Shkup dhe kanë vjedhur para e stoli të arit në vlerë mbi 40 mijë euro.

Policia ka njoftuar të martën se ngjarja ka ndodhur të hënën pak para mesnatës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se ata kanë vjedhur edhe dy armë.

“Policët e rendit e më pas hetuesit rajonal së bashku me krim teknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë nisur hetimet. Nga informatat e para është mësuar se rreth orës 17:00, pronari i shtëpisë A.P ( M/) 38 vjeçar së bashku me anëtarët tjerë të familjes kishin dalë nga shtëpia dhe me tu kthyer rreth orës 23:00 kanë vërejtur se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë nga dritarja e shtëpisë dhe nga aty, sipas viktimës kanë vjedhur 38 mijë euro para kesh, stoli ari në vlerë 3 mijë euro, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, për të cilat posedon leje”, ka thënë Veseli.

Policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe po punon për të zbardhur rastin.