Kronikë

Grabitje në një këmbimore në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Grabitje

Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën rreth orës 15:15 ka marrë informata për grabitjen e një këmbimore në lagjen “Tophane” në Prishtinë, ku i dyshuari kishte shtënë me një armë AK-47. 

Policia ka njoftuar se si reagim ndaj të dyshuarit dhe në përpjekje për ta parandaluar grabitjen një qytetar po ashtu ka shtënë me armë. 

Policia tha se pas marrjes së informatave, zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur brenda disa minutave ta arrestojnë në Obiliq të dyshuarin, që kishte marrë lëndime. 

“Të njëjtit për shkak të lëndimeve ( dyshohet të jetë plagosur) i është ofruar tretmani i nevojshëm mjekësor”, ka njoftuar policia. 

Policia ka sekuestruar ndërlidhur me rastin veturën e të dyshuarit dhe një armë AK-47. 

“Ndërkaq hetuesit po vazhdojnë me ndërmarrjen e  veprimeve hetimore  policore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes”, ka njoftuar policia.