Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një market të Prishtinës, të shtunën rreth orës 13:00.
Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se grabitja është kryer nga dy persona, të cilët nën kërcënimin e armës, kanë grabitur një sasi parash nga punëtorja e marketit.
“Rreth orës 13:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në rrugën "Gazmend Zajmi" në Prishtinë, saktësisht në një market. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në të dhënat e para janë ngritur dyshimet se grabitja është kryer prej dy personave të dyshuar, të cilët nën kërcënimin e armës, kanë grabitur një sasi parash, nga punëtorja e marketit dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Nuk raportohet për persona të lënduar.
Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rastit si dhe identifikimin e personave të dyshuar.