Të akuzuarit në rastin e njohur “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës, në mesin e shumë figurave publike që kanë dashur t’i eliminojnë janë edhe një pjesë e prokurorëve. Për këtë arsye një nga mbrojtësit e njërit prej të akuzuarve, avokati Ramiz Krasniqi ka kërkuar nga prokurori Sylë Hoxha, i cili ka ngritur aktakuzën që në gjykatë të thirret në cilësi të dëshmitarit e jo të prokurorit.
Krasniqi, që në këtë rast penal përfaqëson të akuzuarin Sadri Ramabaja, ka thënë se përderisa emri i Hoxhës ka qenë në listën “për likuidim” atëherë ai duhet të trajtohet si dëshmitar, shkruan sot Koha Ditore.
Përveç Ramabajës në këtë rast penal janë edhe nëntë të akuzuar të tjerë. Të akuzuarit Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana në aktakuzën që e përfaqëson prokurori special, Sylë Hoxha, akuzohen për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë, si dhe vepra të tjera penale.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)