Kokaina është duke u përdorur në zemër të politikës britanike, pikërisht në parlamentin e këtij vendi. Sipas një hetimi të kryer në ambiente të parlamentit britanik, Westminster, ku është testuar për kokainë, gjurmë te kësaj droge janë gjetur në 11 nga 12 ambientet, madje edhe në tualetin në afërsi te zyrës private të kryeministrit britanik Boris Johnson dhe ministres së Brendshme, Priti Patel.
Përdorimi i drogës është shndërruar në një problem gjithnjë e më shqetësues në shoqërinë britanike, aq sa kryeministri Boris Johnson ka ndërmarrë një sulm ndaj linjave të shpërndarjes së drogës të cilat po shkaktojnë trauma në shoqëri dhe drejtohen nga kriminelë shqiptarë, dhe te disa kombësive të tjera, përveç krimineleve anglezë.
Sipas gazetës “The Sunday Times” të Londrës, qentë anti-drogë do mund të lejohen në ambientet e parlamentit në përpjekje për ta pakësuar përdorimin e drogës në parlamentin britanik. Pas këtij zbulimi, deputetë të parlamentit të Britanisë së Madhe kanë kërkuar përfshirjen e qenve antidrogë, në kontrollin e ndërtesës së parlamentit. Kryetari i parlamentit ka thënë se do njoftoj Policinë për zbulimin e gjurmëve te kokainës në ambientet e parlamentit britanik. Vendet e testuara aksesohen vetëm nga ata që kanë leje hyrje parlamentare apo vetëm nga vizitorë qe shoqërohen nëpër ndërtesën e parlamentit nga personat që do të takojnë.
Sipas mediave britanike, shtimi i madh i të burgosurve nga Shqipëria në Britani ndodh pas krijimit të bandave të organizuara dhe të pamëshirshme shqiptare që u futën në tregun e drogës në Britani.
Ata jo vetëm që kontrollojnë tregtinë e drogës në rrugë, por edhe importin e dërgesave nga e gjithë bota. Agjencia Kombëtare e Krimit – ka paralajmëruar: “Grupet shqiptare të krimit kanë krijuar një ndikim të profilit të lartë brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe kanë një kontroll të konsiderueshëm në të gjithë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht kokainën. Londra është qendra kryesore e tyre, por ato janë vendosur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”.
Bandat shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar rekrutojnë emigrantë të paligjshëm nga veriu i Shqipërisë, ku varfëria është tejet e përhapur. Shuma që paguajnë emigrantët e paligjshëm ndaj këtyre bandave shkon deri në 25 mijë funte. Që në largim, objektivi kryesor i tyre është pasurimi i menjëhershëm që do të vijë nga aktivitetet e paligjshme, kryesisht nga trafiku i drogës. Sipas mediave britanike shqiptarët shpesh përdornin edhe emra kosovarësh në mënyrë që të qëndronin në Angli.
Personat e arrestuar në Britani dhe të afërmit e tyre disponojnë pasuri të konsiderueshme në Shqipëri, ku me përjashtim të shtëpive të banimit të ndërtuara në kushte bashkëkohore dhe apartamente banimi në Tiranë e Durrës disponojnë edhe hotele e restorante në bregdet. Emigrantët nga veriu e verilindja e Shqipërisë kanë arritur që të jenë drejtues të shpërndarjes së kokainës të një një pastërtie mjaft të lartë, ku rrjeti i drejtuar nga emigrantë nga Hasi e shpërndajnë drogën e pastër tek personat VIP, ku përfshihen edhe radhët e futbollistëve të Premier League angleze, duke fituar njëherësh shuma të mëdha parash, raportojnë mediat.
Emigrantët nga fshatrat e Hasit në Shqipëri kanë primatin e trafikut dhe të shpërndaresve të drogës në rajone të ndryshme të Britanisë. Klane të ndryshme nga kjo zonë janë të identifikuar nga bashkëvendasit e tyre emigrantë, por edhe nga banorë të kësaj zone si baronët e drogës në Angli. Atyre nuk guxon njeri t’ua përmend emrin, pasi konsiderohen si mjaft të rrezikshëm.
Sekretarja për çështjet e brendshme në Britani, Priti Patel ka paralajmëruar për veprim me dorë të hekurt ndaj shqiptarëve që bëjnë krime në Mbretërinë e Bashkuar.
“Për shqiptarët e përfshirë në krime në Britaninë e Madhe do veprohet me dorë të hekurt . Nëse vini në këtë vend dhe abuzoni me mikpritjen tonë, ne do t’ju ndëshkojmë”, deklaroi kohë më parë Priti Patel.
Shqiptarët janë komuniteti me numrin më të lartë të të dënuarve në Britaninë e Madhe.
Nën etiketimin gangster shqiptarë, mediat britanike kanë publikuar shifrat e shqiptarëve të dënuar. Janë jo pak, por plot 12 shqiptarë që dënohen çdo muaj në 6 vjetët e fundit në Britani për krime nga më të lehtat e deri tek ato të rënda, siç janë trafiqet e drogës , vrasjet, grabitjet me pasoja, e të tjera.
Shqiptarët konsiderohen si grupi më i madh i të huajve në burgjet angleze, kjo si pasojë e marrjes nën kontroll të trafikut të drogës. Në fund të muajit nëntor, ministri i Brendshëm i Shqipërisë Bledi Çuçi dhe homologia e saj britanike , Priti Patel, nënshkruan në Londër një marrëveshje ku policia shqiptare do të ketë akses në gjithë databazën e ADN-s të shqiptarëve të dënuar në Britaninë e Madhe. Deri në vitin 2000 emigrantët nga Shqipëria , paraqiteshin në Londër si shtetas të Kosovës duke përfituar njëherësh edhe azilin. Shumica e tyre sidomos ato të larguarit para viteve 2000 mbajnë emra të shtetasve të Kosovës, ndaj vetëm ADN-ja mund ta bëjë identifikimin e tyre. Shumica e tyre kanë dokumente të rregullta pasi kanë fituar azilin si shtetas të Kosovës.