Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një lidhje direkte për KTV-në, ka treguar se është gjetur trupi i pajetë i një personi që dyshohet se ra në kanalin e Ibër-Lepencit, nën pendën e Ujmanit, dy ditë më parë.
“Sa u ktheva tash nga Zupqi, ku njësitet speciale të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, arritën ta gjenin një person të zhdukur, i cili para dy dite dyshohet se kishte rënë në kanalin e Ibër-Lepencit, nën pendën e Ujmanit. Personi ishte i etnisë serbe dhe rreth të 60-tave. Shfrytëzoj rastin t’i shprehi ngushëllime familjes, që ishte falënderuese për angazhimin e Policisë. Hetimet kanë nisur në vendin e ngjarjes, me koordinim të plotë me prokurorinë. Dyshimet janë se ai ka rënë duke kaluar në një kalesë, ka rënë në kanal, ku është thellësi e madhe dhe ku uji rrjedh shpejt”, tha Sveçla.
Policia e Kosovës të shtunën kishte njoftuar se në mëngjes ka marrë një njoftim nga një person që kishte thënë se vëllai i tij P.R. (1960) ishte larguar nga shtëpia më 21 prill dhe nuk di për vendndodhjen.
“Në ora 08:40, ankuesi S.R., ka shkuar në polici dhe ka njoftuar se vëllai i tij P.R., (1960), dje më 21.04.2023, rreth orës 17:45 ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Ankuesi dyshon se mos vëllai i tij ka rënë në kanalin e Ibrit, në fshatin Zupq. Policia ka filluar kontrollimin e zonës dhe në ora 13:20 atje kanë shkuar edhe tre zhytës nga njësiti i zhytësve 'Trepça'. Kërkimi është duke vazhduar”, thuhet në njoftim të Policisë.