Kronikë

Ferizaj: Aksidentohen dy vetura në lëvizje, dëmtojnë edhe katër të parkuara

Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në afërsi të një qendre tregtare në Ferizaj të premten në mbrëmje. Të lënduarit janë shoferët e veturave që janë përplasur. E pos veturave që ishin në lëvizje, nga aksidenti kanë pësuar edhe katër vetura të tjera të parkuara.

“Sonte, rreth orës 21:30 kemi pranuar një informacion se tek qendra Village Shopping & Fun në Ferizaj ka ndodhur një aksident komunikacioni ku fillimisht janë ndeshur dy vetura në lëvizje dhe katër vetura të tjera të parkuara kanë dëme materiale”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai ka thënë se shoferët e automjeteve në lëvizje kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Të dy kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Veseli ka bërë të ditur se rasti po hetohet nga njësia e hetimeve të aksidenteve.