Kronikë

Federata e Xhudos beson në pafajësinë e Akil Gjakovës

Akil Gjakova

Federata e Xhudos e Kosovës përmes një reagimi të martën ka thënë se beson në pafajësinë e xhudistit Akil Gjakova, i cili është shpallur në kërkim nga Policia për “dhunë në familje”.

Federata e Xhudos ka thënë se dënon çdo formë dhune, ndërsa janë shprehur të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vend, ku u vranë dy gra për pesë ditë.

“Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona. Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Federata e Xhudos ka thënë se Akil Gjakova do të dorëzohet në Polici posa të kthehet në Kosovës. KOHA ka mësuar se ai do të vetëdorëzohet sonte.