Familja Halili nga Prizreni, në të cilën të premten i biri dyshohet të ketë vrarë me thikë babanë e tij, ka akuzuar institucionet e Kosovës për përfundimin tragjik. Vëllezërit e të dyshuarit kanë thënë se ai ka probleme psikike dhe se tre ditë para se të ndodhte rasti kishin lajmëruar Policinë, por, sipas tyre, rasti ishte mbyllur me qortim.
Ata kanë akuzuar shtetin se s’është kujdesur për familjarin e tyre.
“Ai që kreu krimin, vëllai im, është i sëmurë psikik, ka çrregullime personaliteti, skizofreni dhe depresion. Ne ka 10 vite që e vuajmë këtë çrregullim të tijin. Vëllai ka qenë në trajtim disa herë në Prishtinë, është mjekuar e më pas është liruar pa protokoll të qartë nga spitali, pa udhëzues të qartë se si duhet të shkojë trajtimi në vijim. Vëllai ka qenë i dhunshëm dhe jemi detyruar disa herë ta çonim sërish në Psikiatri në Prishtinë, e shumë herë të tjera kemi kërkuar ndihmën e Policisë. Ne e kishim vëllain tonë, në rrugë nuk e linim dot, por edhe zgjidhje për këtë gjendje jashtëzakonisht të vështirë nuk morëm kurrë nga shteti”, kanë shkruar në Facebook vëllezërit e të dyshuarit.
Duke thënë se para tre ditësh kanë lajmëruar Policinë e Prizrenit, familjarët kanë theksuar se krejt çka bënë policët ishte “qortimi me fjalë si mund të qortohet një dyvjeçar dhe kanë ikur”.
“Përgjegjësia për këtë përfundim tragjik i takon vetëm institucioneve të Kosovës që janë përgjegjëse për të tilla probleme”, përfundon reagimi i familjarëve.
Policia e Kosovës të premten ka njoftuar për rastin duke thënë se ka arrestuar të dyshuarin, M.H. rreth 30-vjeçar, që dyshohet të ketë kryer vrasjen me thikë.