Kronikë

E rrahën dhe e mbyllën motrën në dhomë, arrestohen dy të dyshuar në Deçan

Arrestim

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona në Deçan nën dyshimin se e kishin rrahur motrën e tyre dhe e kishin mbyllur atë në dhomë duke ia marrë edhe telefonin që të mos e lajmërojë rastin. 

Njëri prej të dyshuarve gjatë ekzaminimit mjekësor madje ka sulmuar zyrtarët policorë. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. 

“Deçan, 21.09.2024 – 21:35. Është raportuar se viktima femër rreth një muaj më parë është sulmuar fizikisht nga dy te dyshuarit meshkuj –vëllezërit e saj dhe më pas e kishin mbyllur në dhomë si dhe ia kishin marrë telefonin duke mos pasur mundësi ta lajmërojë rastin. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në shtëpinë e sigurt. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuarit ku gjatë dërgimit të tyre për ekzaminim mjekësor, njëri prej  tyre i kishte sulmuar zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin e Policisë. 

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

Në një rast një grua në Gjakovë ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga djali i saj. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa gruaja pas trajtimit mjekësor është dërguar në strehimore. 

Në një rast në Ferizaj një person është arrestuar pasi dyshohet se sulmoi fizikisht babanë. Ai është dërguar në mbajtje. E në Pejë policia ka bërë të ditur se një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga babai dhe vëllai. Tre persona janë arrestuar dhe pas intervistimit u liruan në procedurë të rregullt.