Kronikë

Policia në Prishtinë shoqëron tre të dyshuar për rrëmbimin e një vajze në Lipjan

Policia e Kosovës ka shoqëruar tre persona të dyshimtë për rrëmbimin e një vajze në Lipjan.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha. Ai ka thënë se pas pranimit të informatës Policia ka nisur kontrollen ku ka ndaluar një veturë me tre të dyshuar dhe një femër të moshës së re.

Sipas tij, të dyshuarit janë ndaluar në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë dhe të njëtit janë dërguar në stacionin policor.

Policia ka pranuar informatën se dyshohet që një person (femër) është rrëmbyer në Lipjan dhe të dyshuarit kanë lëvizur me një veturë në drejtim të Prishtinës. Njësitet policore, konkretisht ato për reagim të shpejtë të rajonit të Prishtinës, menjëherë pas pranimit të kësaj informatë kanë arritur ta identifikojnë dhe para pak qastesh është ndaluar një veturë e dyshimtë. Tre persona të dyshuar dhe një femër e moshës së re është shoqëruar në Polici për verifikim të mëtejme dhe sqarim nëse bëhet fjalë për ndonjë veprim të kundërligjshëm”, ka thënë ai.

Ai thotë se është njoftuar edhe stacioni policor në Lipjan të cilët do të asistojnë në trajtimin dhe sqarimin e rrethanave të mëtejme lidhur me rastin.