Mediet gjermane kanë raportuar për dyshimet për një të vdekur, pas të shtënave të pasdites së të mërkurës në afërsi të gjykatës në Bielefeld, ku po gjykohej njëri prej vrasësve të boksierit shqiptar Besar Nimani. Sipas medieve në Gjermani, të shtënat kanë të bëjnë me rastin e vrasjes së boksierit Nimani. Ai ishte vrarë në mars të vitit të kaluar. Ishte goditur me 16 plumba nga të dyshuarit Hyseyin Akkurt e Aymand Dawoud Kirit. Të dy raportohet se janë kurdë, ndërsa Akkurt ishte arrestuar në Bruksel. I dyshuari tjetër, Kirit, është ende në arrati.
Për të shtënat e së mërkurës në Bielefeld janë arrestuar dy persona. Një person tjetër është i dyshimtë.
“Rreth orës 13:40 disa persona janë plagosur, disa kanë plagë të rënda, në afërsi të Gjykatës Regjionale në Bielefeld. Sipas Policisë, katër të lënduar janë momentalisht në spital. Sipas reporterit të WDR-së, njëri prej të plagosurve besohet se ka vdekur, sipas burimeve të afërta me rastin”, ka shkruar “wdr.de” të mërkurën mbrëma.
Policia gjermane shpejt ka rrethuar vendin e incidentit, ndërsa të angazhuara ishin edhe forca speciale. Janë publikuar edhe video nga rasti. Pasdite u arrestua i dyshuari i parë, ndërsa një person tjetër u arrestua në mbrëmje dhe po hetohet për përfshirjen e tij. Ndërkohë po kërkohet edhe një person i tretë.
Plumbat janë shkrepur pasi ka përfunduar seanca e gjykimit. Mediet gjermane kanë shkruar se njëri prej të dyshuarve është vëllai i Besar Nimanit.
Dy prej të plagosurve është raportuar se janë vëllai dhe babai i Hyseyin Akkurtit, që po gjykohet për vrasjen e Besar Nimanit.
Gjykimi i tij ka nisur në janar, nën masa të rrepta të sigurisë. Të mërkurën ishte seanca e radhës. Dhe pas fundit të saj janë dëgjuar të shtënat.
Dëshmitarët kanë njoftuar për disa persona që mbetën të shtrirë. Ka pasur raportime që motra e boksierit të ndjerë ka tentuar të fusë një thikë në dhomën e gjykimit një ditë më parë.
Të mërkurën, të shtëna kishte edhe nga një veturë në lëvizje. Arma me të cilën është shtënë, është gjetur nga Policia, njofton Radio Bielefeld.
“Operacioni policor në shkallë të gjerë, pas të shtënave në qendër të Bielefeldit, është ende në vazhdim. Dy të dyshuar, përfshirja e të cilëve në krim nuk është zbardhur ende, janë arrestuar përkohësisht në vendngjarje. Përfshirja e tyre në krim po hetohet. Katër persona të plagosur ndodhen tani në spital. Është gjetur një armë që mund të jetë përdorur. Për momentin nuk ka informacion për viktimat dhe autorët. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende duke u zhvilluar”, thuhet në komunikatën e fundit të Policisë të lëshuar të mërkurën mbrëma.