Dy vrasje e gjashtë plagosje janë raportuar këtë vit. Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, i cilëson të larta këto shifra dhe ato të viteve paraprake. Këtë ai e ndërlidh me numrin e lartë të armëve pa leje që ndodhen në duart e qytetarëve. E për parandalimin e rasteve, psikologu, Naim Telaku, shtron nevojën për investime tek organet e drejtësisë dhe të rendit
Që nga fillimi i këtij viti, bazuar në të dhënat që Policia i prezanton në raportet e saj 24-orëshe për media, në Kosovë janë evidentuar dy raste të vrasjeve dhe 6 të plagosjeve me armë zjarri.
Rasti i fundit i plagosjes ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes në Prishtinë.
Sipas policisë, dyshimet janë që një taksist ka marrë plagë nga dy persona, të cilët më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur i plagosur nga arma e zjarrit. Viktima është dërguar në QKUK. Sipas dëshmitarëve, të dyshuar janë dy persona të panjohur, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin e Policisë.
Bazuar në të dhënave zyrtare që KOHA i siguroi nga Policia, gjatë vitit 2024 në gjithë Kosovën janë evidentuar 17 raste të vrasjes, që janë 12 më pak se sa një vit më parë, kur u patën raportuan 29.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, e cilëson të lartë këtë numër të vrasjeve dhe të plagosjeve, teksa shtimin e rasteve e ndërlidh me armët e shumta pa leje, që qytetarë të Kosovës i mbajnë në duart e tyre.
“Kanë mbetur shumë armë pa leje në duart e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ku sipas disa statistikave janë përmbi 300 mijë armë që nuk duhej të ishte kështu. Masat ndëshkimore është koha e fundit që të ndryshohet më. Masa ndëshkimore ose politika ndëshkimore, sanksionet penale, është kohë e fundit që të ndryshohen gjithmonë me termin preventivë për parandalim”, ka thënë Dashevci.
Sipas Policisë, gjatë vitit shkuar janë konfiskuar 6 mijë e 980 armë pa leje. Kjo shifër është për më se pesëfish më e lartë sesa në vitin 2023, kur nga duart e qytetarëve u patën sekuestruar 1 mijë 286 armë zjarri.
Shqetësim për këtë dhe dënimet e buta që gjykatat i shqiptojnë për armëmbajtje pa leje shprehur një ditë më parë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Gjatë prezantimit të raportit: “Dënimet me gjobë – leje për armëmbajtje”, hulumtues të IKD-së bënë të ditur se në tre vjetët e fundit, nga 147 rastet gjyqësore lidhur me armëmbajtjet pa leje janë shqiptuar 28 dënime me gjobë, 18 me kusht dhe vetëm një me burgim.
E psikologu Naim Telaku, e shtron nevojën për investime te organet e drejtësisë me qëllim të parandalimit të këtyre rasteve.
“Duhet të merren seriozisht investimet në organet e drejtësisë dhe organet e rendit që të rritet besimi te këto organe. Duhet të punohet një lloj depolarizimi social dhe politik që e kemi në vend”, ka thënë Telaku.
Ai i ka numëruar disa faktorë që çojnë drejt vrasjeve.
“Ndër faktorët që rrisin gjasën për të ndodhur vrasjet janë pabarazia ekonomike, pabarazia sociale, pasi kemi shtresa shumë të pasura dhe shumë të varfra, mosbesimi në organet e drejtësisë e të rendit”, ka thënë Telaku.
Një hulumtim i organizatës ndërkombëtare “Small Arms Survey”, i kryer më 2018 e që është ndër më të fundit të kësaj natyre, tregoi se rreth 436,000 armë gjenden në duart e qytetarëve, e prej të cilave afro 392,794 janë pa leje.