Dy persona kanë vdekur në aksidentin e së hënës ku u përfshinë një kamion e dy vetura, në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, ia ka konfirmuar KOHËS viktimën e dytë në këtë aksident.
Vdekja e tyre është konstatuar në vendin e ngjarjes.
“Janë dy viktima të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ku janë të përfshira dy vetura dhe një kamion”, ka thënë Kryeziu.
(20:47) - Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një person
Një person ka vdekur të hënën në një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku janë përfshirë një veturë me targa të huaja, një me targa vendore dhe një kamion.
Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se aksidenti ka ndodhur në orën 18:40, e në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore dhe ato të tjera.
Po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore lidhur me shkaktarët e aksidentit.
“Më datë 21.10.2024 rreth orës 18:40 në autostradën ‘Dr. Ibrahim Rugova’ Prizren Veri-Prizren Jug; km-13 është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet ku janë të përfshira: Një automjet me targa të huaja, një kamion dhe një automjet me targa vendore. Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipe tjera. Policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me shkaktarët e këtij aksidenti të rëndë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha.