Kronikë

Dy të mitur arrestohen për vrasjen në Pejë, familjet fqinje patën ngatërresa edhe në të kaluarën

Në fshatin Vitomiricë të Pejës, të premten është vrarë një 60-vjeçar. Për këtë vrasje, të dyshuar janë dy vëllezër të mitur, të cilët edhe janë arrestuar. Sipas Policisë motivet ende nuk dihen, por mes këtyre dy familjeve fqinje ka pasur ngatërresa edhe më herët.

Vitomirica e Pejës është trazuar të premten në mesditë nga një vrasje e rëndë që ka ndodhur në njërën prej lagjeve të fshatit.

Me thikë është therur një 60-vjeçar.

Të dyshuar për këtë vrasje janë dy vëllezër të moshës nën 18 vjeçe.

Banorë të këtij fshati kanë treguar se njëri është 15 e tjetri 17 vjeç.

Rasti, siç ka mësuar KOHA, ka ndodhur rreth 200 metra larg shtëpive të tyre, në rrugën kryesore të lagjes, ku kishin mbetur gjurmët e gjakut.

Vrasjen e ka konfirmuar edhe Policia e Pejës, sipas së cilës rreth orës 13.00 policia është njoftuar për një përleshje në fshatin Vitomiricë dhe gjatë përleshjes lëndime të rënda me armë të ftohtë ka pësuar një person.

Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi, i tha KOHËS se viktima menjëherë është dërguar për tretman mjekësor në emergjencën e Spitalit në Pejë, por mjeku kujdestar vetëm ka konfirmuar vdekjen.

Për motivin e kësaj mosmarrëveshjeje të përfunduar tragjikisht policia tha se nuk i di ende motivet.

Familja e viktimës dhe ajo e të dyshuarve për vrasje, janë fqinj të parë.

Motivet nuk dihen ende, por në fshat treguan se ato dy familje ka disa vjet që janë në ngatërresë mes veti, përfshirë edhe përleshje fizike që kanë ndodhur më parë.

KOHA mëson nga bashkëfshatarët se këto dy familje kanë ardhur para disa viteve në këtë fshat. Njëra nga Komuna e Rahovecit, e tjetra nga Komuna e Malishevës.