Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia kanë arrestuar të mërkurën dy persona në Ferizaj, të cilët janë të dyshuar për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Prokuroria Speciale, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur se të arrestuarit B.Sh. dhe M.Q. kanë nënshtetësi kosovare dhe se hetimet ndaj tyre janë zhvilluar që prej disa muajsh.
“Pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 i KPRK-së”, është thënë në komunikatën e Prokurorisë.
I arrestuari B.SH. ka qenë punonjës i Doganës së Kosovës. Në këtë institucion kanë sqaruar të mërkurën se i arrestuari është pushuar nga marrëdhënia e punës në doganë dy dekada më parë.
“Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.SH. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004. Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, kanë thënë në Doganën e Kosovës.
Nuredin Ibishi, njohësi i çështjeve të sigurisë, ka thënë se arrestimi i dy personave të mërkurën ka të bëjë edhe me propagandë dhe me tjetërsim të informacioneve edhe për luftën në Kosovë.
“Kanë vepruar një kohë të gjatë edhe në aspektin propagandistik, por edhe në forma të tjera duke e devalvuar edhe rendin kushtetues edhe të arriturat e Kosovës, por edhe të aleatëve të saj. Pra, duke i mohuar të gjitha ato që u arritën, por lidhet edhe me çështjen e Masakrës së Reçakut që propaganda serbe në bashkëpunim me shërbimet inteligjente ka bërë lobim dhe devalvim të krejt asaj çfarë ndodhi dhe është realiteti”, ka deklaruar Ibishi.
Të dyshuarit do të mbahen në mbajtje për 48 orë, derisa të ndërmerren të gjitha veprimet e tjera të nevojshme.
Pas publikimit të lajmit, BIA serbe ka reaguar duke mohuar se të dyshuarit kanë pasur ndonjë lidhje me të.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se dy persona janë arrestuar të mërkurën në dy lokacione për kryerjen e veprës penale “spiunazh”.
Sipas njoftimit, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar bastisje pas zhvillimit të hetimeve disamujore.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe pritet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme.
Ndërkaq gjatë ditës, Dogana e Kosovës ka njoftuar se njëri prej të arrestuarve në Ferizaj me inicialet B.Sh. nuk është pjesë e Doganës prej 20 vjetësh pasi ishte pushuar në fillim të vitit 2004.
“Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Pas publikimit të lajmit, BIA serbe ka reaguar duke mohuar se të dyshuarit kanë pasur ndonjë lidhje me të.