Dy persona të maskuar kanë vendosur një arkivol para dyerve të shtëpisë së një familje në qytetin e Vitisë.
Në videon, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, shihen të dy persona duke e bartur arkivolin dhe duke e lënë para dyerve të një shtëpie, e cila ngjarje dyshohet se ka ndodhur të shtunën në mesnatë.
Po ashtu, në video shihet se si njëri nga të dyshuarit bën fotografimin e arkivolit.
“Stacioni policor në Viti, sot në orët e hershme të mëngjesit, më 27 tetor rreth orës 1, ka pranuar një informacion se persona të paidentifikuar deri më tash, para një shtëpie në qytetin e Vitisë kanë vendosur një arkivol të zbrazët. Njësitet policore relevante në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan kanë filluar hetimet në identifikimin e sqarimin e gjitha rrethanave që kanë çuar deri te rasti. Për momentin të dyshuar lidhur me rastin nuk kem. Njësitet policore kanë ndërmarrë gjitha veprimet e nevojshme. Dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale ‘kanosje’”, ka deklaruar Valon Osmani, zëdhënës i policisë së rajonit të Gjilanit.