Kronikë

Asamblisti i VV-së arrestohet në Tiranë, dyshohet për trafikim droge

Dy kosovarë janë në mesin e pesë të arrestuarve në Tiranë të martën, nën dyshimin për trafikim droge, ka njoftuar Policia e Shqipërisë. Siç bëhet e ditur, ata janë kapur me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me peshë prej mbi 5.090 kilogramë në vlerë rreth 400 mijë euro. Një nga të arrestuarit është Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Mujecit.

Siç ka bërë të ditur Policia e Shqipërisë në një konferencë për media, ky grup është kapur pas hetimeve disamujore.

I quajtur “Punisher 2”, operacioni ka përfunduar me arrestimin edhe të M.R. 30-vjeçar nga Prishtina dhe K.P., A.M. dhe D.A. nga Tirana.

“Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, të dyshuarit shfrytëzonin sezonin turistik për t’i dërguar dërgesat me autobusët Prishtinë-Tiranë.

“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”, ka thënë Policia.

Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitare në Prishtinë në fillim të qershorit patën caktuar aksionarët e rinj të ndërmarrjeve publike, duke përfshirë Mujecin aksionar në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”. Më pas pushteti, LDK-ja dhe PDK-ja, patën anuluar vendimet e opozitës. Megjithatë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka shpallur të pavlefshme vendimet e pushtetit duke kthyer në fuqi vendimin e opozitës.