Një fabrikë në fshatin Bibaj të Ferizajt është perfshirë nga zjarri të dielën. Policia e Kosovës njoftoi KOHËN se nga ky zjarr s’ka të lënduar, por dëmet në fabrikën që merret me prodhimin e dekoreve të gjipsit janë të konsiderueshme.
Ekipet policore dhe njësia e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur të lokalizojnë zjarrin.
“Ju njoftojmë se më datë 02.02.2025, rreth orës 19:10, është raportuar një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Bibaj të Ferizajt. Patrulla policore dhe njësia zjarrfikësve kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Për këtë rast janë njoftuar hetuesit e stacionit dhe krimteknikët. Shkaqet e incidentit të zjarrit ende nuk dihen. Ndërkohë, zjarrfikësit kanë lokalizuar dhe kontrolluar zjarrin. Dëmet materiale shkaktuara nga zjarri janë të konsiderueshme, por nuk raportohen lëndime në njerëz”, thuhet në njoftimin policor.
Për veprimet policore është njoftuar edhe prokurori i Shtetit.