Vetura e anëtares së Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), Aleksandra Popoviq, është djegur në mbrëmjen e të shtunës në Ranillug.
Prokurori kujdestar Agron Uka ka thënë për KOHËN se dyshohet se dy shishe molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtares.
“Dy shishe me koktej molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtareje të komisionit zgjedhor. Ka mundësi që i dyshuari ka pësuar djegie, jemi në kërkim të provave”, ka thënë Uka.
Për rastin është raportuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Ranillug / 25.01.2025 – 20:35. Raportohet se persona të pa njohur i kanë vënë flakën një veture me targa të Serbisë. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Popoviq është anëtare nga radhët e Listës Serbe. Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Ata e dinë se nuk mund ta mposhtin Listën Serbe në zgjedhje, andaj duan t’i frikësojnë përfaqësuesit e saj që të heqin dorë nga lufta. Fillimisht ata morën vendet e Listës Serbe në komisionet zgjedhore dhe tani po sulmojnë anëtarët e saj me veprime kriminale”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social "X".
E një rast tjetër i zjarrvënies së qëllimshme është raportuar në Mogillë të Kllokotit në orët e hershme të së shtunës. Persona të panjohur kanë djegur një billbord. Uka ka thënë se bëhet fjala për një billbord të një kandidateje për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.