Kronikë

Detaje nga rrahja e shefit të Burgjeve të Kosovës

Sokol Zogaj është rrahur brutalisht nga persona ende të panjohur.

Sulmi ndaj ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka ndodhur para banesës së tij në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, raporton KTV.

Familjarë të tij kanë treguar se Zogaj është sulmuar rreth orës 7:00 të mëngjesit, kur ai po nisej për punë.

Sipas vajzës së tij, Zogajn, një banor i lagjes e ka dërguar në qendrën emergjente QKUK.

Shefi i Emergjencës, Basri Lenjani, ka treguar se gjendja e tij është e qëndrueshme dhe se nuk ka thyerje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se puna hetimore e Policisë është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre.

Nëpërmjet një komunikate për media, Ministria e Drejtësisë e ka dënuar ashpër sulmin brutal ndaj Zogajt dhe i fton organet kompetente ta trajtojnë rastin, në mënyrë që kryerësit e këtij akti brutal të dalin para organeve të drejtësisë.

Ndërkaq, KMDLNJ-ja sulmin ndaj Zogajt e konsideron si sulm ndaj institucioneve shtetërore dhe përpjekje për të kontrolluar nga krimi një segment shumë të rëndësishëm, siç është Shërbimi Korrektues i Kosovës që po përballet me probleme të shumta pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike.