Për shkak se të akuzuarit Blerim Mulliqi, Hysni Morina dhe Pashk Krasniiq, nuk kishin angazhuar avokat, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar i paraparë për të mërkurën, kundër 15 të akuzuarve për rastin “Subvencionet II”.
Në këtë rast po akuzohen Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Sali Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, të cilët ngarkohen për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.
Në këtë seancë, prokurori Rafet Halimi ka propozuar që pasi me dy të akuzuarit Blerim Mulliqi dhe Bekim Bruçi kanë marrëveshje për pranim fajësie, ndaj tyre të veçohet procedura.
Lidhur me këtë, gjykatësja e rastit Violeta Namani ka thënë se do të vendosë jashtë seance.
Pas kësaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca është shtyrë, ndërsa e radhës u caktua më 13 mars 2023.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër 15 personave lidhur me rastin “Subvencionet II”.
Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për medie nga PSRK, ku thuhej se aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve si persona zyrtarë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe përfitues të subvencioneve në mënyrë të kundërligjshme për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
“Të pandehurit L.S dhe B.M, dyshohen për veprën penale ‘’Marrje ryshfeti’’ nga neni 421 lidhur me nenin 31 në bashkëkryerje dhe nenin 77 vepra penale në vazhdim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit S.SH dhe B.N, dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit G.M, R.Z, A.M, D.D, D.D, R.Z, H.M, S.B, H.M, P.K, dyshohen për veprën penale ‘’Dhënie e ryshfetit’’ nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se i pandehuri B.B., dyshohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, thuhet se të pandehurit G.M, R.Z, A.M, D.D, R.Z dhe H.M, dyshohen për veprën penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 324 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. / Betimi për Drjetësi