Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur “akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë” sulmet ndaj institucioneve në Komunën e Zveçanit. Brenda dy ditësh u hodhën granata dore, fillimisht në drejtim të stacionit policor e pastaj ndaj Komunës.
Ai ka thënë se nuk ka burime të brendshme destabiliteti që institucionet shtetërore nuk i menaxhojnë.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen diku edhe jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, apo të kërcënimit të sigurisë, të cilët nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”, ka theksuar Kurti.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep të territorit pavarësisht sulmeve të tilla, e se të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes “frikës e terrorizmit”.
“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshprimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka shkruar në Facebook.
Ndërkohë, kanë reaguar edhe nga opozita. Partia Demokratike e Kosovës e ka dënuar aktin dhe ka thënë se është një përpjekje e qartë për të frikësuar kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e tij. Ka bërë thirrje për hetim të rasteve dhe që organet e rendit t’i ofrojnë mbrojtje kryetarit të komunës dhe zyrtarëve të tjerë.
“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ato kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhe synojnë destabilizimin e institucioneve tona. Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
