Kronikë

Dënohet serbi i arrestuar në Gazimestan për provokime ndëretnike

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka dënuar sot serbin nga Mali i Zi, Risto Jovanoviq, me gjashtë muaj burgim, ka njoftuar Kossev.

Ai është shpallur fajtor, pasi ngarkohej me akuzën se më 28 qershor në Gazimestan "qëllimisht dhe me dashje shkaktoi mosmarrëveshje dhe jotolerancë midis grupeve etnike që jetojnë në Kosovë", duke thirrur "vriti shqiptarët", "Ne do ta lajmë Kosovën me gjak" dhe "Kosova është Serbi".

Në vendimin e gjykatës thuhet se ‘i akuzuari R.J. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh burgim, duke filluar nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, koha e kaluar në paraburgim i llogaritet në kohëzgjatjen e dënimit me burg.

Më tutje në vendim thuhet se me pëlqimin e të pandehurit gjykata i ka zëvendësuar dënimin me burgim me dënim me gjobë, ashtu që për pjesën e mbetur të dënimit të paguaj shumën prej 6700 € (gjashtë mijë e shtatëqind euro) gjobë.

“Të akuzuarit R.J. gjykata i shqiptoj edhe dënimin plotësues ku urdhërohet dëbimi i të pandehurit R.J. nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 5 vite. Kohëzgjatja e dëbimit llogaritet nga dita kur ky aktgjykimi merr formën e prerë”.

Më tutje gjykata ka përshkruar rrethanat se si i akuzuari dyshohet ta ketë kryer veprën penale.

“I akuzuari, R.J. me datë 28.06.2021 rreth orës 14:00, në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, në vendin tek monumenti i “Gazimestanit”, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim në mes të grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës”

Gjatë manifestimit të përvjetorit të njohur si “Vindovdan”, sipas vendimit të gjykatës publikisht dhe në prezencën e numrit të konsiderueshëm të qytetarëve, ka brohoritur fjalët “vrite shqiptarin”, “ Kosovën do ta lajm me gjak”, “Kosova është Serbi”, ndërsa para gazetarëve dhe medieve të pranishme ka deklaruar “ ... kur kthehem djathtas, ku shoh shqiptarët, atyre do tu vie ngusht, për neve do jetë më mirë … me çka ka përhapur publikisht urrejtje duke rrezikuar prishjen e rendit publik dhe me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale, Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit “

Sipas Kossevit, në gjykimin e sotëm, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Baboviq.