Anesteziologu Valton Dervishi nga Gjinekologjia e Tetovës që shpërndau video në TikTok para një muaji është dënuar me 1 vit e 3 muaj burg. Ai u shpall fajtor për dy vepra, “punë e pandërgjegjshme gjatë shërbimit” dhe “incizim i paautorizuar”.
Gjykimi u zhvillua në Gjykatën Themelore të Tetovës, pasi ai incizoi dhe publikoi drejtpërdrejt video në TikTok të pacienteve nga Gjinekologjia e Spitalit të Tetovës. Ai e pranoi veprën e kryer dhe për të njëjtën kërkoi falje.
Dervishi i pyetur nëse i kupton veprat për të cilat akuzohet, tha se e kupton akuzën.
“I pranoj veprat penale dhe pendohem për atë që kam bërë”, tha Dervishi i cili sqaroi se nuk ka qenë më parë i akuzuar, raporton Alsat.
Prokuroria ka thënë që gjyqi duhet marrë parasysh gjendjen faktike, të shihen të gjitha rrethanat tjera dhe të merret parasysh se i akuzuari e pranoi veprën.
Anesteziologu ka thënë se pajtohet me atë që deklaroi avokati i tij dhe kërkoi falje me arsyetimin se veprën nuk e ka bërë me tendencë dhe për ndonjë përfitim. Ai ka thënë se në paraburgim e ka të vështirë të qëndrojë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Gjykatësi vendosi që deri në plotfuqinë e vendimit, anesteziologut t’i zëvendësohet masa nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Ai është suspenduar nga puna.