Dhunuesi i një gruaje në Prishtinë në dhjetorin e vitit 2010, është dënuar me kusht para vetëm disa muajsh. Aktgjykimi është nxjerrë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Më 10.05.2010, rreth orës 18:00, i pandehuri M. pas një kontakti dyjavor me telefon që kishte me të dëmtuarën N. Gj., pasi fillimisht kishin lënë takim, e pastaj janë takuar te Ulpiana, kanë pirë kafe së bashku në restorant, e pastaj i pandehuri me veturën e tipit ‘Golf II’ ngjyrë e zezë, e ka dërguar në drejtim të fshatit G. Me të arritur në Badovc, në një rrugë mali e ka nxjerrë nga vetura me forcë të dëmtuarën dhe pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale me të edhe pse e njëjta ka rezistuar”, thuhet në këtë aktgjykim.
Pas dhunimit, gruas i janë vjedhur telefoni e paratë nga dhunuesi. Por kjo vepër është parashkruar.
“Në të njëjtin vend, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën N. Gj., në momentin derisa e njëjta ishte duke u pastruar në afërsi të ujit, i pandehuri me qëllim të përfitimit të sendeve të huaja në mënyrë të kundërligjshme ia ka vjedhur çantën e krahut në të cilën kishte portofolin me 130 euro në të, letërnjoftimin, kartelën e punës, telefonin e tipit ‘Nokia’ dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes duke e lënë të dëmtuarën të vetme në mal”, është e shpjeguar në këtë dokument. Kjo vepër penale është parashkruar qysh në vitin 2016.
E në një tjetër rast një grua është dhunuar nën kërcënimin e thikës dhe armës së zjarrit. Gjykata në Pejë e ka dënuar dhunuesin me 2 vjet burgim.
“I pandehuri me veturë e dërgon në shtëpinë e tij në fshatin M., ashtu që kur kanë arritur te shtëpia e tij, i pandehuri e kap për dore dhe me forcë e ka shtytë në dhomën e tij. Me të hyrë brenda dhomës i mbyll dritaret (perdet) dhe derën me çelës. Fillimisht e kërcënon të dëmtuarën me një thikë duke ia vendosur në barkë dhe duke e kërcënuar se do ta mbysë, e kërcënon se do ta mbysë edhe me revole, e pastaj e godet me grushte në sy dhe fytyrë. Në fund e shtrin në krevatin e dhomës, me c’rast me forcë ia zhvesh pantallonat”, përshkruhen detajisht veprimet e dhunuesit.
Gjykatës iu propozua që t’ia lehtësojë dënimin këtij dhunuesi për faktin që është i divorcuar dhe mban fëmijët.
“Është i divorcuar dhe i vetmi kujdestar i tre fëmijëve të mitur nga mosha 8-12 vjeçare, niveli i ulët i arsimimit, më parë i padënuar, jetesën në një mjedis josocial, pavarësisht veprimeve të tij, qëllimi i të pandehurit ishte serioz në krijimin e një jete të re, e në asnjë mënyrë keqpërdorimin e askujt”, thuhet në aktgjykim.
Prokuroria e gjykatat kritikohen në masë të madhe për mënyrën se si i trajtojnë rastet e dhunës seksuale, kur viktima janë vajzat e gratë. E kohëve të fundit janë rritur raportimet për krime të tilla.