Kronikë

COVID-19 në burgje: Refuzohet kërkesa për lirimin e 4 të burgosurve me shëndet të lig

Gjykatat në vend ende nuk i janë përgjigjur zyrtarisht kërkesës së drejtorit të burgjeve për lirimin e përkohshëm të 19 të burgosurve për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Javë më parë, Shërbimi Korrektues i Kosovës u kishte kërkuar gjykatave

që t’i lirojnë 19 të burgosur kryesisht edhe shkaku i parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Por, drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi, thotë se deri më tani vetëm Gjykata Themelore në Pejë u ka kthyer një përgjigje negative për pezullimin e 4 dënimeve.

Megjithëkëtë, Gjykata Themelore në Pejë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar pasi që po pret mendimin e ekspertëve mjekësorë lidhur me gjendjen e këtyre të burgosurve.

Zyrtarë për media kanë thënë se vendimi pritet të merret së shpejti, pas analizës së raporteve mjekësore.

“U.d. së kryetarit në Gjykatën Themelore në Pejë, Sami Sharaxhiu, ka kontaktuar përmes e-mailit me drejtorin e Qendrës Korrektuese të Kosovës lidhur me kërkesën e parashtruar për pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit të katër personave që janë në vuajtje të dënimit - megjithatë, vendimi ende nuk është marrë. Gjykata është në pritje të mendimeve të ekspertëve mjekësorë lidhur me gjendjen shëndetësore të të burgosurve për të cilët është kërkuar pezullimi i përkohshëm i dënimit. Pritet që sot të pranohet mendimi i fundit, e pas kësaj gjykata do të marrë vendim ashtu siç është paraparë me Ligjin mbi ekzekutimin e sanksioneve penale”, është thënë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Situatë e ngjashme është edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku në pritje janë 6 kërkesa, por të njëjtat nuk mund të vendosen pa raportin e mjekëve ekspertë.

Në një përgjigje të Zyrës për media thuhet se vendimi nuk është marrë ende sepse nuk janë pranuar mendimet dhe konstatimet e komisionit mjekësor të ShSKUK-së.

“ Ju njoftojmë se kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, në bazë të nenit 94, par. 3 të Ligjit për Ndryshmin dhe Plotësimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, lidhur me këto kërkesa të lartcekura, me urdhëresën e datës 16.03.2020, ka kërkuar nga drejtori i SHSKUK-së të caktojë komisionin mjekësor në përbërje prej 3 (tre) mjekëve – te lëmive përkatëse - për dhënien e mendimit dhe konstatimit për gjendjen shëndetësore për të dënuarit e lartcekur. Andaj, gjykata deri më tani nuk ka pasur mundësi të vendosë lidhur me kërkesat e lartcekura për pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të dënimeve, ngase ende nuk ka pranuar mendimet dhe konstatimet e komisionit mjekësor. Pas pranimit të mendimit dhe konstatimeve mjekësore, Gjykata do të ketë mundësi të procedojë tutje lidhur me kërkesat e lartcekura”, është thënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

QKUK-ja ka konfirmuar se i është përgjigjur thirrjes së gjykatave për caktimin e ekspertëve mjekësorë dhe se Zyra ligjore, në koordinim me drejtuesit e klinikave, ka caktuar ekspertët e fushave përkatëse për këto raste.

“Ju njoftojmë se QKUK-ja ka pranuar kërkesa nga gjykatat për caktimin e ekspertëve për të bërë ekspertizë mjekësore në lidhje me të burgosurit. QKUK menjëherë i ka proceduar ato te Zyra ligjore, e cila në koordinim me drejtorët e klinikave përkatëse prej nga janë kërkuar ekspertët, ka caktuar ekspertët e fushave përkatëse dhe për të njëjtët është njoftuar gjykata përkatëse”, ka thënë Shpend Fazliu, Zyrtar për Informim në ShSKUK.

Për shkak të gjendjes emergjente të krijuar nga COVID-19, drejtoria e burgjeve javë më parë kishte bërë kërkesë që të pezulloheshin përkohësisht dënimet për 19 të burgosur për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në mesin e tyre kishte edhe të dënuar për vrasje.

Ndërsa, sipas Ligjit për ndryshimin e sanksioneve penale, aktvendimi për pezullim të përkohshëm të ekzekutimit të dënimit duhet të bazohet në vlerësimin mjekësor të një komisioni, i cili përbëhet prej tre mjekëve të caktuar nga kryetari i gjykatës themelore përkatëse.